KLASIFIKIMI I ZONAVE TË MBROJTURA

“Zonë e mbrojtur e natyrës është zona e shpallur me qëllim të mbrojtjes dhe përkujdesjes së biodiversitetit, peizazheve, karakteristikave natyrore dhe trashëgimisë kulturore dhe për ofrimin e menaxhimit efektiv përmes mjeteve juridike dhe mjeteve të tjera”.

Kategorizimi i Zonave të Mbrojtura në Ligjin për Mbrojtjen e Natyrës është bërë sipas Unionit Botëror për Ruajtjen e Natyrës IUCN9. Zonat e mbrojtura të natyrës sipas këtij Ligji klasifikohen në 6 kategori:

 

3.1. REZERVATET STRIKTE NATYRORE

Rezervat strikt i natyrës është territori tokësor ose ujor që disponon me ekosisteme të shquara me veti gjeologjike dhe lloje, i destinuar para së gjithash për kërkime shkencore dhe monitorim mjedisor.

Rezervatet janë pjesë burimore ose shumë pak të ndryshuara të natyrës,me përbërje vetjake të formave bimore dhe shtazore si dhe bashkësive të tyre,si pjesë të ekosistemeve të parapara para se gjithash për ruajtjen e fondit gjenetik.Rezervatet mund të jenë me rëndësi botanike, ku ruhen në formë “in situ” llojet bimore dhe bashkësitë bimore, ose me rëndësi shtazore për shkak të ruajtjes së llojeve shtazore në vendbanimet burimore të natyrës. Gjithashtu, rezervate mund të jenë edhe viset në të cilat janë shfaqur një ose më shumë vlera natyrore, të cilat duhet të mbrohen ose dukuri të cilat duhet përcjellë dhe përkujdesur.

Qëllimet e menaxhimit me rezervatet strikte të natyrës janë:ruajtja e habitateve, ekosistemeve dhe llojeve nga shqetësimet, përkujdesja e resurseve gjenetike në gjendje dinamike dhe evolutive, përkujdesja e proceseve ekologjike,ruajtja e vetive strukturore të peizazheve apo relieveve shkëmbore, ruajtja e mostrave të mjedisit natyror për studime shkencore, arsimimi dhe monitorimi mjedisor, ulja e shqetësimeve përmes planifikimit me kujdes të zbatimit të hulumtimeve dhe aktiviteteve të tjera, etj.

Për rezervatet strikte të natyrës vlen shkalla e I-rë e mbrojtjes dhe ato shpallën nga Qeveria.

Nga sipërfaqja e përgjithshme e zonave te mbrojtura,rezervatet natyrore përfshijnë 847 ha. Në Kosovë deri më tash kemi 3 lloje të rezervateve të mbrojtura: rezervate bimore (7), rezervate shtazore (2) dhe rezervate speciale (2)

 

3.2. PARKU KOMBËTAR

 

Park Kombëtar është territori natyror i cili shpallet për:

  • •  Mbrojtjen e tërësisë ekologjike, të një apo më shumë ekosistemeve, për brezat e sotëm dhe të ardhshëm;
  • •  Përjashtimin e shfrytëzimeve apo uzurpimet me qëllim të ndryshimit dhe dëmtimit të natyrës;
  • •  Sigurimin e bazave për qëllime shpirtërore,shkencore, arsimore,rekreative, kulturore dhe mundësi vizitash, në pajtim me parimet e mbrojtjes së mjedisit.

Qëllimet e menaxhimit të Parkut Kombëtar janë:

  • •  Mbrojtja e territoreve natyrore me rëndësi kombëtare dhe ndërkom – bëtare për qëllime shpirtërore,shkencore, arsimore,rekreative dhe turis tike;
  • •  Ruajtja e gjendjes burimore, të shembujve reprezentativ të zonave fiziografike, bashkësive biotike,resurseve gjenetike dhe llojeve për sigurimin e biodiversitetit dhe të stabilitetit ekologjik;
  • •  Sigurimi i shfrytëzimit në aspektin inspirues,shkencor, arsimor, kulturor dhe rekreativ që ta mbajë zonën në gjendjen natyrore ose afërsisht natyrore;
  • •  Përjashtimi i shfrytëzimeve ose i vizitave të cilat mund të shkaktojnë ndryshime dhe dëmtime të natyrës;
  • •  Mbajtja e veçorive ekologjike, gjeomorfologjike dhe estetike për të cilat territori është shpallur i mbrojtur.
  • •  Parku Kombëtar shpallet nga Kuvendi i Kosovës.

Në Kosovë deri më sot ekziston vetëm një Park Kombëtar i shpallur nga Kuvendi i Kosovës (1986),“Mali Sharr” me sipërfaqe 39 000 ha.Ndërsa në propozim është edhe parku i dytë Kombëtar, Bjeshkët e Nemuna me sipërfaqe të propozuar 62,000 ha.

3.3. MONUMENTET E NATYRËS

Monumenti natyror është territor që përmban një ose më shumë veçori specifike natyrore dhe kulturore, me vlera të posaçme ose unikate, për shkaqe rariteti, vetish natyrore,reprezentative,rekreative dhe estetike ose vlera të posaçme kulturore. Monumentet natyrore mund të jenë me karakter:

  •  •  Gjeologjik (paleontologjik, mineralogjik, hidrogjeologjik, gjeologjik, sedimentet),
  • •  Gjeomorfologjik (shpella, humnera, shkëmbinj);
  • •  Hidrologjik (ujërrjedha, ujëvara, liqene);
  • •  Botanik (ekzemplarët e rrallë të botës bimore);

Monumentet e natyrës shpallen nga komuna, përveç atyre me rëndësi të posaçme për Kosovën të cilat shpallen nga Qeveria, në propozim të AMMK-së.

Qëllimet e menaxhimit të monumenteve natyrore janë:

  • •  Mbrojtja dhe ruajtja e vetive të qëndrueshme natyrore me rëndësi të posaçme, cilësive unikate, dhe vlerave inspiruese;
  • •  Ofrimin e mundësive për kërkime shkencore, arsimore, interpretuese dhe vlerësuese nga publiku;
  • •  Ndalimi dhe pengimi i shfrytëzimeve dhe vizitave të cilat mund të shkaktojnë ndryshime ose dëmtime;
  • •  Ofrimi i beneficioneve aq sa është e lejueshme për popullatën e cila jeton në ato territore, në pajtim me qëllimet menaxhuese.

Në kuadër të Zonave të Mbrojtura,Monumentet e Natyrës për nga numri zënë vendin e pare me 82, ndërsa për nga sipërfaqja vendin e dytë me 6.296.93 ha.) Prej tyre 55 Monumente Natyrore me karakter botanik, 15 me karakter hidrologjik, 7 me karakter gjeomorfologjik, 4 speleologjik dhe 1 memorial.

3.4. ZONAT E MENAXHIMIT TË HABITATEVE DHE LLOJEVE

Zona e menaxhuar e habitateve dhe llojeve (rezervat natyror i menaxhuar) është zonë tokësore ose ujore që i nënshtrohet intervenimeve aktive për qëllime të menaxhimit për të siguruar përkujdesjen e habitateve dhe plotësimin e kërkesave specifike të llojeve.

Zona e menaxhuar e habitateve dhe llojeve shpallet nga Qeveria e Kosovës. Qëllimet e menaxhimit të zonës së menaxhuar të habitateve dhe llojeve janë:

  • •  Të sigurojë dhe mirëmbajë kushtet e domosdoshme të habitateve për mbrojtjen e llojeve të veçanta, grupeve të llojeve, bashkësive biotike apo veçorive fizike të mjedisit në të cilat kërkohet një veprim i veçantë për menaxhim human;
  • •  Të lehtësojë kërkimet shkencore dhe monitorimin mjedisor,si aktivitete primare të lidhura me menaxhimin e qëndrueshëm të resurseve;
  • •  Të zhvillojë zonat specifike për arsimim publik dhe vlerësim të karakteristikave të habitateve si dhe për menaxhimin me llojet e egra;
  • •  Të ndalojë dhe parandalojë shfrytëzimin ose uzurpimin që është në kundërshtim me qëllimet e mbrojtjes;
  • •  Të ofrojë benificione, aq sa është e mundshme, për popullatën që jeton në ato territore, në pajtim me qëllimet e mbrojtjes.

Në kuadër të kësaj kategorie të mbrojtjes nuk është klasifikuar asnjë zonë e mbrojtur

3.5. PEIZAZHI I MBROJTUR ME QËLLIM TË RUAJTJES TË PEIZAZHEVE TOKËSORE

Peizazhi i mbrojtur është territor tokësor, ujor në të cilin bashkëveprimi i njeriut dhe natyrës, për kohë të gjatë, kanë krijuar hapësirë karakteristike, me vlera të theksuara estetike, ekologjike dhe kulturore, e shpeshherë me biodiversitet të theksuar. Ruajtja e integritetit të këtij bashkëveprimi tradicional është esencial për mbrojtjen, përkujdesjen dhe zhvillimin e asaj zone.

Peizazhi i mbrojtur shpallet nga Qeveria e Kosovës. Qëllimet e menaxhimit me peizazhin e mbrojtur janë:

  • •  Mbajtja e stabilitetit në veprimet reciproke të natyrës dhe njeriut me mbrojtjen e peizazheve tokësore, ujore dhe shfrytëzimit tradicional të tokave, ndërtimeve si dhe manifestimeve shoqërore dhe kulturore;
  • •  Përkrahja e mënyrës së jetesës dhe aktiviteteve ekonomike të cilat janë në harmoni me natyrën; • Ruajtja e larmisë së peizazheve, habitateve të llojeve të ngjashme dhe ekosistemeve;
  • •  Të ndalojë dhe parandalojë shfrytëzimin apo uzurpimin e tokave dhe ndërmarrja e aktiviteteve që nuk janë në pajtim me qëllimet e mbrojtjes;
  • •  Krijimin e mundësive për rekreacion dhe turizëm të cilat i përgjigjen kategorive të zonave;
  • •  Nxitja e aktiviteteve shkencore dhe arsimore për të mirën afatgjate të popullsisë,si dhe shtimin e mbështetjes publike për mbrojtjen e atyre zonave;
  • •  Ofrimi i beneficioneve dhe kontributit në mirëqenien e komunitetit përmes sigurimit të prodhimeve natyrore siç janë: prodhimet ekologjike të pyllit dhe peshkimi dhe shërbimet tjera si: uji i pastër dhe të ardhurat nga turizmi).

Në kuadër të kësaj kategorie hyjnë 2 parqet regjionale të natyrës, Parku i Mirushës (555. 80.70 ha) dhe Parku i Gërmisë 1126 ha. Parqet Regjionale zënë sipërfaqen prej 1. 681 ha, ose 3 % e sipërfaqes së përgjithshme të zonave të mbrojtura.

3.6. ZONA E MBROJTUR E RESURSEVE NATYRORE

Zona e mbrojtur e resurseve natyrore është zonë e sistemeve të pandryshuara natyrore, shërben për mbrojtjen dhe mirëmbajtjen e diversitetit biologjik, duke siguruar në të njëjtën kohë prodhimin e produkteve dhe shfrytëzimin e natyrës për t’i përmbushur nevojat e shoqërisë.

Në Kosovë nuk kemi asnjë zonë në kuadër të kësaj kategorie.